Kuvendi mblidhet sot pas shtyrjes së seancës, studentët paralajmërojnë protestë para Parlamentit
Deputetët mblidhen në orën 10:00, ndërsa studentët paralajmërojnë protestë dhe opozita kërkon interpelanca.
Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet këtë të enjte në seancë plenare, pas shtyrjes së mbledhjes së mëparshme për shkak të protestave. Ndërkohë, studentët kanë paralajmëruar zhvillimin e një proteste përpara ambienteve të Parlamentit, në një kohë kur vendi po përballet me një valë protestash që vijojnë prej nëntë ditësh.
Seanca plenare është parashikuar të nisë në orën 10:00 dhe pritet të shoqërohet me debate mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me protestat e ditëve të fundit dhe reagimin e Policisë së Shtetit.
Kryeministri Edi Rama nuk do të jetë i pranishëm në seancë, pasi ndodhet në Budva, ku do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.
Interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm për protestat
Pika e parë e rendit të ditës parashikon zhvillimin e një interpelance urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, të kërkuar nga Partia Demokratike.
Interpelanca pritet të përqendrohet te zhvillimet e fundit në vend, protestat dhe veprimet e Policisë së Shtetit gjatë përballimit të tyre.
Kërkesa për interpelancë ishte paraqitur më herët nga opozita, por zhvillimi i saj ishte shtyrë me argumentin se ministri Demo sapo kishte marrë detyrën dhe i nevojitej kohë për t'u njohur me çështjet e ngritura.
Sipas rendit të ditës, të miratuar me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, më 20 tetor 2026, janë parashikuar edhe interpelanca të tjera.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kërkuar interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Në rendin e ditës ndryshimet ligjore për pagesat dhe parandalimin e pastrimit të parave
Përveç interpelancave, deputetët pritet të shqyrtojnë disa projektligje që lidhen me sektorin financiar, të drejtat e autorit dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Mes çështjeve të parashikuara për diskutim janë projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave, si dhe ndryshimet në legjislacionin për të drejtat e autorit.
Në seancë pritet të shqyrtohet gjithashtu ratifikimi i Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, si dhe marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.
Një tjetër projektligj i përfshirë në rendin e ditës lidhet me treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Reforma Administrativo-Territoriale, pritet ngritja e komisionit të posaçëm
Deputetët pritet të shqyrtojnë edhe projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Ky projektvendim është përfshirë në rendin e ditës së seancës plenare, krahas interpelancave dhe nismave të tjera ligjore.
Mbledhja e Kuvendit zhvillohet në një situatë të tensionuar për shkak të protestave të ditëve të fundit, ndërsa paralajmërimi i studentëve për t'u mbledhur përpara Parlamentit pritet ta vendosë sërish në qendër të debatit politik mënyrën e trajtimit të protestave dhe reagimin e institucioneve shtetërore.